Në ditën e mësuesit, datën e shënuar të 7 marsit, ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla mori pjesë në ceremoninë jubilare, organizuar nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Elbasanit me drejtoresh znj. Jonida Cungu. Veçantia tjetër e kësaj dite ,dedikuar mësuesit është se kjo periudhë përkon edhe me 100 vjetorin e themelimit të Drejtorisë Arsimore të Elbasanit.

Në mëngjes, ministrja Nikolla zhvilloi një takim në Drejtorinë Arsimore të Qarkut Elbasan, ku u takua me punonjësit e kësaj drejtorie , me  mësues veteranë të qytetetit të Elbasanit, si dhe me ish drejtorë të këtij institucioni.

Më pas aktiviteti vazhdoi me nderimet e bëra në monumentin e mësuesit, ku në mënyrë simbolike u vendosën lule në shenjë respekti dhe përulësie ndaj punës së jashtëzakonshme ndër vite nga mësuesit e arsimit shqiptar.

Ky aktivitet jubilar në kuadër të festës së 7 Marsit, kulmoi me një aktivitet festiv në teatrin “Skampa”, ku ministrja Nikolla mbajti dhe fjalën e saj përshendetëse për 7 Marsin, me urimin drejtuar të gjithë mësuesve shqiptar të kudondodhur. Më pas orkestra e shkollës artistike “Onufri”, zhvilloi një koncert festiv në nderim të festës së mësuesit.

Në përfundim të këtij turi aktivitetesh, ministrja Nikolla, zhvilloi dhe një vizitë në muzeun e shkollës “Naim Frashëri”, shkolla e parë shqipe në qytetin e Elbasanit, themeluar më 2 Gusht 1908.