Të dashur nxënës e prindër!

Të nderuar mësues e kolegë!

 

Urimet më të mira për vitin e ri shkollor 2017-2018!

Dëshiroj t’ju drejtohem të gjithëve me një urim të përzemërt dhe me dëshirën, që të gjithë së bashku të punojmë për të patur një vit shkollor sa më produktiv e cilësor. Një urim të veçantë për të gjithë fëmijët që ndjekin klasën e parë.

 

Dita e parë e shkollës është një moment ngazëllues, emocional dhe mbi të gjitha me një rëndësi të madhe, pasi i jep të gjithëve besim: mësuesve në punën e tyre plot sfida, prindërve në synimin për shërbim cilësor dhe nxënësve për arritje të shkëlqyera. Është moment për të reflektuar në rolin madhor që ka edukimi në shoqëri.

 

Të nderuar kolegë!

Fëmijët e nxënësit janë nën petkun e punës tuaj. Kur bëhet fjalë për shkollën, flasim për fatin e vendit tonë. Ndaj shkolla duhet të përgatisë dhe të edukojë qytetarë të vetëdijshëm dhe njerëz të aftë për t’u përballuar me sfidat e jetës. Bëjini nxënësit tuaj të kuptojnë dijen, me qëllim që ta kthejnë atë në aftësi. Është detyra jonë.

 

Të dashur nxënës!

Shpresoj dhe besoj se çdo vit shkollor, ashtu edhe ky vit, duhet te jete nje kontribut i çmuar në formimin tuaj, si nxënës, si qytetarë e mbi të gjitha si njerëz. Prandaj angazhohuni dhe studioni seriozisht. Bëhuni protagonistë të jetës shkollore, duke përcjellë aftësi, pozitivitet, ekukatë, bashkëpunim, tolerancë, arritje. Shkolla është një vlerë që do ju vlejë për të gjithë jetën. Përpiquni të punoni fort, për arritje të suksesshme. Është detyra juaj.

 

Të dashur prindër!

Bashkëpunoni ngushtësisht me mësuesit e fëmijët tuaj, për të arritur synimet që ju keni. Bëhuni sa më shumë pjesë e shkollës, sepse këshilla juaj është ndihma jonë.

 

Me dëshirën që gjithësecili do të kontribojë maksimalisht dhe me shumë përgjegjësi për një arsim sa më cilësor, ju uroj:

 

Suksese dhe mbarësi për vitin shkollor 2017-2018!

 

Jonida Cungu

 

Drejtore e DAR Elbasan​